Cătălin D. Constantin udhëtoi nëpër Ballkan për disa vite, i shoqëruar nga miq të ngushtë, për të rikrijuar me përpikëri, me të njëjtat kënde dhe korniza, fotografitë e realizuara nga vëllezërit Manakia më shumë se një shekull më parë, imazhe që sot ruhen në arkivat e Bukureshtit.
Përpara dhe pas vitit 1900, Milton dhe Ianaki Manakia kapën skena të fshatrave vllahe në Epir dhe Maqedoni. Emrat e fshatrave ishin të ndryshëm atëherë. Rrugët kishin një pamje tjetër. Dhe rajoni ishte ende pjesë e Perandorisë Osmane. Ky projekt vizual nuk kishte si qëllim vetëm gjetjen e vendndodhjeve të sakta dhe rikrijimin e fotografive nga të njëjtat pika. Më shumë se kaq, ai ishte një udhëtim i mbushur me histori, shpeshherë të ngjyrosura me një nuancë aventure… Sa shumë, vallë, kanë ndryshuar thellësitë e Ballkanit në një shekull?

Cătălin D. Constantin është botues dhe antropolog. Ai jep mësim në Fakultetin e Letërsisë pranë Universitetit të Bukureshtit, ku ka shërbyer si zëvendësdekan nga viti 2016 deri në 2024. Teza e tij e parë e doktoraturës, botuar në 2013, u fokusua te jeta e përditshme në qytetet rumune në fillim të shekullit XX. Teza e tij e dytë, përfunduar në 2014, ishte një analizë kulturore dhe antropologjike e shesheve urbane në qytetet europiane dhe u vlerësua me çmimin më të lartë nga Universiteti i Arkitekturës “Ion Mincu”. Hera e parë që ky universitet dha një doktoratë me vlerësimin maksimal për një jo-arkitekt.
Cătălin D. Constantin ka botuar koleksione letrare dhe libra fotografikë kushtuar trashëgimisë kulturore. Për librat që boton, ai shpesh shkruan tekstin dhe krijon dizajnin grafik, duke e konsideruar këtë kombinim thelbësor. “Dritaret e Bukureshtit dhe Historitë e Tyre”, një nga librat e tij, u shit brenda tri javësh dhe u rendit libri më i blerë në Rumani.
Ai kryen kërkime antropologjike në malet e Pindit në Greqi dhe në rajonin e Kaukazit.
Ka marrë Medaljen e Nderit nga KulturForum Europa, një fondacion gjerman i themeluar nga zëvendëskancelari Hans-Dietrich Genscher.
Që prej 2016, koordinon një seri javore të konferencave të edukimit muzeal në Pallatin Suțu, pjesë e Muzeut të Qytetit të Bukureshtit.
Ai ka organizuar ekspozita fotografike në: Rumani, Spanjë, Turqi, Bullgari, Maqedoni e Veriut, Azerbajxhan, Gjeorgji, Poloni, Greqi, Irlandë, Itali dhe Portugali.