
Vllehët kanë qenë gjithmonë transhumantë, dhe arkivi fotografik i vëllezërve Manakia në Bukuresht përfshin disa imazhe me një efekt kinematografik të jashtëzakonshëm, që paraqesin skena të transhumancës.
Theodor Capidan, vetë një vllah, foli në fillim të shekullit XX për lëvizjet e vllehëve në një nga librat e tij: “Në verë, nga prilli deri në tetor, ata qëndrojnë në kullotat e verës në lartësitë malore; në dimër, nga tetori deri në ditët e para të pranverës, zbresin në fusha. Ata janë aq të mësuar me këto lëvizje periodike, saqë sot ka komunitete vllahe, banorët e të cilave, ndonëse nuk merren me blegtori, gjithsesi nuk qëndrojnë në vendbanimet e tyre malore gjatë dimrit. Në vjeshtë, ata largohen për në fusha, ashtu si barinjtë nomadë, duke lënë në fshat vetëm dy ose tri familje për të ruajtur vendbanimin.”
Ky ritëm përfshinte ndarjen e familjeve në dy pjesë, pasi gratë shpesh mbeteshin vetëm për periudha të gjata, duke marrë përsipër përgjegjësi që gratë nuk kishin zakonisht në pjesën tjetër të Ballkanit. Ato menaxhonin shtëpinë dhe merrnin vendime. Udhëtimi nënkuptonte gjithashtu aktivitet tregtar; barinjtë shisnin djathë, gjalpë dhe produkte të tjera, duke blerë në këmbim mallra të ndryshme, të cilat i sillnin në fshatrat malorë. Pashmangshmërisht, vllehët njihnin disa gjuhë dhe kanë qenë gjithmonë të paktën dëgjuhësh. Ishte një botë magjike besimesh dhe, nga jashtë, bestytni.


Herë pas here, fati na buzëqesh në mënyrë të papritur. Në vjeshtën e vitit 2019, kisha identifikuar dhe rikrijuar pothuajse të gjitha lokalitetet e vëllezërve Manakia. Peizazhi në skenat e transhumancës më dukej i njohur pas kaq shumë kërkimeve në terren, ndaj i vura vetes një detyrë pothuajse të pamundur: të identifikoja ato vende, qoftë edhe në mënyrë të përafërt. Një film një minutë e 20 sekonda i vëllezërve Manakia, i ruajtur në arkivin e Bitolës, me titull Skena nga jeta e vllehëve nomadë, më ndihmoi. Pa dyshim, filmi ishte bërë në të njëjtën kohë me fotografitë. Më ndihmoi gjithashtu një album grek i fotografive arkivore i Vanggelis Nikopoulos. Për disa sekonda, në sfondin e filmit, shfaqej një qytet. Duke krahasuar konturet e vagullta me fotografi të periudhës, e identifikova si Grevenën, ndërsa ndërtesa e madhe pranë tij, tashmë e zhdukur, ishte një garnizon osman. Atëherë, u nisa për të gjetur peizazhin nga fotografia. Pothuajse asgjë nga Grevena e asaj kohe nuk kishte mbijetuar. Teksa po bëja fotografinë e sotme, një tufë me dele dhe një bari u shfaqën.

E përshëndeta në vllahisht. Ai punonte për Stergios Antulis, nga Samarina, fshati më i lartë në Greqi dhe legjendar për vllehët. Stergios, një nga të fundit, udhëtonte me kopenë e tij nga Samarina në Tirnavos, një udhëtim trejavor. Ai shikoi fotografitë dhe tha se njerëzit në imazhet e vëllezërve Manakia nuk ishin nga fshati i tij. “Mund të jenë nga Avdela ose Perivoli,” -shtoi ai. “Si e di?” -e pyeta. “Nga torba; çdo fshat ka modelin e vet,” -u përgjigj ai.
Një mësim mbi identitetin e së shkuarës kur veshjet ishin shenja dalluese identitare.
Në gusht 2024, e takova sërish rastësisht Stergios Antulis, në Samarinë, gjatë Festës së Shën Marisë.
Pranë vendit ku vëllezërit Manakia dikur kapën fotografitë e transhumancës, autostrada Egnatia Odos tani shtrihet në peizazh. E përfunduar në 2009, kjo vepër madhore infrastrukturore pret rrugën e transhumancës, që barinjtë vllehë e kanë ndjekur për shekuj me radhë. Ligjet europiane ndalojnë kalimin e autostradave me kope. Këta barinj nga Perivoli, Avdela dhe Samarina kanë ndjekur të njëjtën rrugë për shumë kohë, duke zbritur çdo vjeshtë nga lartësitë e Maqedonisë Perëndimore në fushat e Thesalisë dhe duke u kthyer në pranverë. Ky udhëtim prej 130 deri në 150 kilometra ishte i shënuar nga ndalesa kyçe, të njohura si “konakia”, të pandryshuara për shekuj. Sot, autoritetet ofrojnë subvencione për transportin e kopesë me kamionë, dhe janë ndërtuar nënkalime për transhumancën, megjithatë shumë pak barinj i përdorin ato, duke preferuar kamionët.
Për të shkruar librin e tyre Nomadët e Ballkanit, Wace dhe Thompson ecën me tufat e deleve nga Tirnavos në Samarinë në pranverën e vitit 1909. Një shekull dhe një dekadë më vonë, në 2019, unë takova tufat e Stergios Antulis, duke ndjekur të njëjtën rrugë në drejtim të kundërt, në vjeshtë. Një botë e vjetër përzihet me të renë, gjë që është plotësisht e natyrshme. Dhe megjithatë, ajo e vjetra nuk është zhdukur krejtësisht.






