Krania / Turia: Mosmarrëveshjet kufitare të zgjidhura nga qetë

Disa vende i rezistojnë me kokëfortësi fotografimit. Por edhe unë isha kokëfortë. Mbërrita për herë të parë në Turia – Krania, në Greqi në vitin 2017, por vetëm përafërsisht arrita të identifikoj vendin nga fotografia e vëllezërve Manakia. Vija e peizazhit nuk dukej të ishte në të njëjtin rreshtim me atë të imazhit origjinal, me majat e kishave. Në vitin 2019, kur mbërrita në mbrëmje, drita vinte kundër. Hijet e zgjatura në fotografinë e vëllezërve Manakia më kishin bërë të besoja se fotografia ishte bërë në perëndim të diellit. Në vendngjarje, kuptova se ato ishin hije të hedhura nga dielli i sapo i lindur. Udhëtimi në gjurmët e këtyre imazheve nga fillimi i viteve 1900 më ndihmoi të kuptoj se vllehët kishin zgjedhur vendbanimet e tyre me një zgjuarsi të jashtëzakonshme, me shumë gjasa duke ndjekur rite fetare të krishtërimit, por edhe për të siguruar që oborret e tyre të kishin diell gjatë gjithë ditës. Ose, përndryshe, i vendosnin në vende të fshehura, për të mos u diktuar nga kusarët. Në Turia, drita e diellit ishte thelbësore. Ky nuk ishte vetëm një vendbanim barinjsh; këtu ushtrohej edhe bujqësia, falë klimës së përshtatshme. Vetëm në udhëtimin tim të pestë, në mars të vitit 2025, arrita të shoh agimin dhe dritën e lindjes së diellit. Vendndodhja e fotografisë sime mbetet përafërsisht e njëjtë, por vetëm për disa hapa. Kodra që dikur ofronte një pamje të plotë është gërryer ndërkohë; një rrugë moderne është ndërtuar në trupin e saj, gjysmë shekulli pas momentit kur vëllezërit Manakia bënë fotografinë e tyre.

“Turia, ose siç e quajnë grekët, Krania, është një fshat i pashëm dhe i begatë, duke marrë parasysh pozicionin e tij pranë kufirit të vjetër greko-turk dhe në rrugën kryesore midis Janinës dhe Grevenës. Ndodhet në këmbët e një grupi kodrash që lidhen me vargmalin e Pindit, në verilindje të Metsovos dhe lumi që kalon përmes tij është një degë e Venetikos.

Vllehët e Turisë, ndryshe nga ata në shumicën e fshatrave më të larta, i punojnë vetë arat e tyre, në vend që të punësojnë punëtorë grekë, turq apo bullgarë. Pothuajse çdo shtëpi qëndron në kopshtin e saj të mbushur me perime dhe lule, kështu, fshati, i ndarë në disa lagje, mbulon një sipërfaqe të madhe për popullsinë e tij prej rreth dy mijë banorësh.

Ka shtatë kisha, më e madhja prej të cilave, e ndërtuar në vitin 1790, ndodhet në qendër të fshatit, pranë një rrapi gjigant. Gjashtë të tjerat ndodhen në periferi ose pak përtej kufijve të fshatit. Kjo është një vendndodhje tipike për kishat në fshatrat maqedonas dhe, ndoshta, vjen nga një ligj që ishte në fuqi të paktën në vilajetet e Janinës dhe Manastirit deri në mesin e shekullit XIX, i cili urdhëronte që asnjë kishë të mos ndërtohej brenda hapësirës së fshatit.

Megjithatë, tradita vendase ofron një shpjegim më romantik për vendosjen e kishave të Turisë. Thuhet se të gjitha ato ndodhen mbi kufirin fillestar të fshatit, i cili u përcaktua rreth dyqind vjet më parë nga një palë qe të zinj të mbërthyer në parmendë. Kur kufiri u vendos kështu, qetë u varrosën të gjallë së bashku me parmendën në vendin ku sot ndodhet kisha e Shën Ilia-s.”

Alan Wace dhe Morice Thompson, Nomadët e Ballkanit

Scroll to Top